Kosova pa Kuvend

Xhavit Haliti, deputet i zgjedhur i PDK-së, tha në emisionin “Jeta në Kosovë” se nuk e dëshirojnë përsëritjen e zgjedhjeve nacionale.

“Unë besoj se nuk është mirë të shkohet në zgjedhje, është mirë që të gjejmë formulën e përbashkët”, tha Haliti. “Nuk është mirë me inate”, shtoi ai.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 26 gushtit rreth legjitimitetit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, për Bardhyl Metajn – ish-kandidat për deputet nga LDK-ja, ishte politik.

“Ata e dhanë një vendim. Unë e quajta edhe skandaloz, edhe politik, edhe të pashembullt”, tha Meta.

Për Donika Kadaj-Bujupi nga AAK-ja, Isa Mustafa ende është kryetar legjitim i Kuvendit  të Kosovës. Ajo është e bindur se në seancën e radhës konstituive të Kuvendit, ai do të rizgjidhet.

“Kryetari Isa Mustafa, të cilin unë e njoh edhe sot si kryetar legjitim, sepse është zgjedhë me shumicën e deputetëve të Republikës së Kosovës, do të rizgjedhet përmes vullnetit të përsëritur”, tha Kadaj-Bujupi.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, LDK – AAK – NISMA, kanë intensifikuar takimet me Lëvizjen Vetëvendosje rreth gjetjes së mënyrave për ta tejkaluar situatën politike, të krijuar pas vendimit në fjalë.

Edhe pse u raportua se kishte përafrim të qëndrimeve LDK-AAK-NISMA me LVV, në seancën konstituive kjo e fundit nuk e votoi Isa Mustafën për kryetar të Kuvendit, me arsyetimin se nuk kishte marrëveshje në nënshkruar që blloku LDK-AAK-NISMA i ka pranuar kushtet e LVV-së.

Në këtë drejtim, Albulena Haxhiu, deputete e LVV-së ka tërhequr sërish vërejtjen se nëse nuk ka marrëveshje të nënshkruar, ata nuk do të jenë pjesë e bashkëqeverisjes.

“Nëse do të ketë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, të nënshkruar, po e theksoj “të nënshkruar”, atëherë, sigurisht se ne do të jemi pjesë e bashkëqeverisjes”, tha Haxhiu.

Për këto dhe shumë çështje tjera rreth situatës së re politike në vend dhe tejkalimit të saj, ndiqeni sonte emisionin “Jeta në Kosovë” prej orës 20:20 në RTK 1.

Të ftuar  në debat janë: Xhavit Haliti – deputet nga PDK-ja; Bardhyl Meta – ish-kandidat i LDK-së për deputet; Donika Kadaj-Bujupi – nga AAK-ja dhe Albulena Haxhiu – nga Lëvizja Vetëvendosje.