Shkup, një pjesë e Aleancës për Shqiptarët i bashkohet koalicionit zgjedhor me BDI-në

Në Maqedoninë e Veriut, njëri krah i Aleancës për Shqiptarët që drejtohet nga zoti Ziadin Sela vendosi të enjten që t’i bashkohet koalicionit zgjedhor të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Delegatët e Kuvendit Qendror të këtij krahu të ASh-së vendosën ta pranojnë ofertën e zotit Ali Ahmeti për të dalë së bashku në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe ato parlamentare të 8 majit.

Zoti Sela u tha gazetarëve pas takimit se “Kuvendi Qendror i tha po ofertës për t’u bërë pjesë e ‘Frontit Evropian’, në mënyrë që sa më shpejtë dhe të sigurtë, Maqedoninë ta bëjë pjesë të BE-së”.

As BDI-ja e as ASH-ja e zotit Sela nuk japin hollësi rreth marrëveshjes, ndërsa ky i fundit la të kuptohet se do të ketë pesë kandidatë nga partia e tij në listat e përbashkëta me gjasa të mëdha për të fituar postet e ligjvënësve. “Presim të formojmë grupin tonë parlamentar pas zgjedhjeve”, theksoi zoti Sela.

Ai bëri të ditur se vetëm një votë ishte kundër propozimit për koalicionin dhe katër delegatë kanë abstenuar. Aktualisht, Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës ka gjashtë deputetë në parlament, ndërkaq dy deputetë janë me zotin Arben Taravari.

Pritshmëritë brenda ASH-së, në grupimin e zotit Sela, ishin që të dilte e vetme në zgjedhje, por siç duket, mungesa e vulës së partisë që mbahet nga krahu i zotit Taravari, i ka ndryshuar planet.

Ziadin Sela pothuaj se gjatë gjithë karrierës së tij politike ka vepruar si opozitar ndaj BDI-së, ndonëse hyrja e tij në koalicion me partinë e Ali Ahmetit nuk i ka habitur analistët. Ata vlerësojnë se ndarja në dy blloqe e partive shqiptare përveç që është demokratike, nga ana tjetër “nuk do ta çojë dëm” edhe votën shqiptare.

Por, bashkimi i ASH-së së zotit Sela në koalicionin e njohur si “Fronti Evropian” nuk është pritur mirë nga opozita shqiptare, e cila për javë të tëra i bënte thirrje këtij krahu t’i bashkohej koalicionit opozitar të njohur si VLEN, ku bëjnë pjesë krahu tjetër i Ash-së, i zotit Taravari, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike.

Nga ana tjetër, Fronti Evropian, i drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ka mbledhur rreth vetes edhe Partinë Demokratike Shqiptare, Lëvizjen “Populli”, Partinë Demokratike Evropiane, si dhe një parti dhe një lëvizje turke dhe një parti të komunitetit rom; hera e parë kjo që një parti shqiptare arrin të bashkojë subjekte politike të komuniteteve të tjera më të vogla në Maqedoninë e Veriut.

Zoti Ali Ahmeti thotë se ky koalicion “do të bëjë histori dhe do të fitojë numrin më të madh të deputetëve që nga pavarësia e vendit”./VOA