RRAHMAN JASHARAJ

Jasharaj: Ministrja Nagavci ka urdhër nga Kurti që të mos takohet me sindikatat

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka urdhër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të mos u takuar me sindikatat.

Jasharaj përmes një deklarate me shkrim më 28.04.2024 tha se ministrja Nagavci nuk ka gatishmëri të takohet me SBASHK-un, edhe pse këta të fundit sipas kryetarit, kanë dërguar një numër shkresash që nga greva e shtatorit të vitit 2022.

“Ministre Nagavci pas grevës së shtatorit 2022 SBASHK të dërgoi kërkesa e kërkesa që të takoheshim e të bashkëbisedonim lidhur me gjendjen akuale në arsim dhe për kërkesat e të punësuarve, që nga çerdhet e deri në universitete, por ti e mbaje inatin e grevës. Ne pastaj i ndalem shkresat sepse nga Kabineti juaj merrnin përgjigje se ju nuk paskeni kohë duke u marrë me aktivitete te shumta të takoheshit me ne e të tjetët dhe ato angazhime e aktivitete nuk shiheshin shumë, por ne nuk deshem të të lodhim e të të ta rrisnim mendjen më”- është shprehur Jasharaj.

Jasharaj i ka quajtur të pavërteta deklaratat e ministres së ka gatishmëri të takohet me SBASHK-un, duke theksuar se kabineti i saj nuk u është përgjigjur kërkesave të sindikatës për takim.

“Ti para pak ditësh duke iu përgjigjur medieve deklarove se ke gatishmëri të takohesh me SBASHK-un e me të tjerët në shërbim të arsimit dhe ne të nisem prapë një kërkesë më 22 prill duke menduar se ju dhe Qeveria keni ndryshuar qasje ndaj sindikatave dhe dialogut, por përgjigja nga Kabineti yt mungoi. Më 25 prill ta dërguam edhe një shkresë dhe të informuam për protestën e 1 majit dhe t’i dërguam edhe të gjitha kërkesat legjitime të anëtarësisë, të cilat edhe mediat e nderuar i publikuan”- është shprehur ai.

“Ti Ministre vazhdove  me qasjen e njëjtë dhe me heshtjen dhe i ik ende takimeve me ne, por tregoje të vërteten para medieve. Ne e dimë se ke urdhër nga Kryeministri, dhe jo vetëm ti, që të mos takoheni me sindikatat dhe duhet të merrni leje nga ai e ndokush tjetër, se kur e me këtë të takoheni, por  të lutemi mos deklaro para medieve se ke gatishëmri të takohesh me SBASHK e me të tjerët sepse kjo nuk është e vërtetë”- ka shtuar Jasharaj.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ditë më parë deklaroi se nuk ka dëgjuar ndonjë mësimdhënës që është shprehur i interesuar për protesta, teksa ka ftuar SBASHK-un që të bashkëpunojnë.

“Problem është mënyra se si po u adresohen edhe mësimdhënësve edhe si kryesi. SBASHK-u po flet në emër të të gjithë mësimdhënësve. Unë nuk kam dëgjuar asnjë mësimdhënës që janë shprehur që janë të interesuar ose se janë të gatshëm për protesta dhe unë e ftoj edhe SBASHK-un dhe të gjithë të tjerët që të punojmë bashkë, për të përmirësuar rezultatet e nxënësve tanë sepse kjo është më e rëndësishme dhe më se e domosdoshme”- ka thënë Nagavci.

E pyetur se nëse kanë pasur ndonjë thirrje për takim me ministren ose dikë tjetër në Ministri, Nagavci ka thënë se nuk i kujtohet ndonjë kërkesë për ndonjë çështje specifike që e kanë paraqitur për t’u trajtuar.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) ka paralajmëruar protestë më 01.05.2024, siç thonë ata për shkak të “qasjes së keqe të Qeverisë ndaj punëtorëve të arsimit”.

Protesta pritet të mbahet në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj.